Brazili është fitues i Superklasikes së Amerikës, një trofe i ri që vuri përballë këtë vit dy skuadrat më të mëdha të kontinentit të Amerikës së Jugut, pesë herë kampionen e Botës, Brazilin dhe Argjentinën. Pas barazimit 0-0 dy javë më parë në Cordoba të Argjentinës, në ndeshjen e kthimit të luajtur në Belem, vendasit e Brazilit kanë fituar 2-0 duke ngritur edhe trofeun.
Për skuadrën argjentinase vjen kështu humbja e parë për trajnerin e ri Alejandro Sabella, i cili mund të justifikohet me faktin se nuk pati në dispozicion shumë nga yjet e këtij formacioni, të cilët luajnë të gjithë në Europë, ndërsa Brazili pavarësisht mungesës së lojtarëve që luajnë në Europë kishte në organikë disa lojtarë me kualitet të lartë si Ronaldinho, Neymar apo Lucas.
Në pjesën e parë brazilianët kanë dominuar takimin duke qenë shumë më të rrezikshëm sesa argjentinasit, falë cilësive të Neymar, i cili shkoi në disa raste tek goli, ndërsa skuadra mike u përpoq që të sulmonte vetëm nëpërmjet kundërsulmit. Në minutën e 8-të të pjesës së dytë Brazili zhbllokon rezultatin teksa pas një pasimi të Danilos, është Lucas, i cili kalon në shpejtësi Domingues dhe mposht portierin Orion. Dyfishimi i rezultatit për brazilianët vjen kur kishin mbetur edhe 15 minuta lojë. Diego Souza pason në qendër të zonës për Neymar, i cili gjuan, topi devijohet nga një lojtar argjentinas dhe përfundon në rrjetë, gol që mbylli edhe takimin në shifrat 2-0







0 σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου